Microsoft prezantoi mundësitë për ndihmë NGO-ve në Prishtinë

Microsoft Kosova dhe Maqedonia sot, më 17 Prill 2014, mbajti në Prishtinë Ditën e Microsoft-it për OJQ-të. Takimi iu kushtua bashkëpunimit shumëkombësh me organizatat joqeveritare dhe prezantimit të mbështetjes që Microsoft i ofron sektorit të shoqërisë civile.

Takimi u lehtësua nga dy organizata motra, Fondacioni Metamorphosis nga Shkupi dhe OJQ Lens nga Prishtina, që të dy u përqendruan në përdorimin e inovacionit dhe teknologjisë për zhvillimin e demokracisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.

Në prezencën e mbi 70 pjesëmarrësve nga e gjithë Kosova, kryesisht nga shoqëria civile, por edhe entuziastë dhe profesionistë të fushës së teknologjisë së informacionit, u prezantua softueri granteve i licencuar dhe i ofruar nga Microsoft si dhe programi për mbështetjen e drejtpërdrejtë të OJQ-ve, Youth Spark.

Menaxher i Programit të Edukimit në Microsoft Office për Kosovë dhe Maqedoni, Vlora Adam foli për mënyrën se si OJQ-të mund të përfitojnë nga grantet e Microsoft të dedikuara për këtë sektor dhe zbuloi detaje rreth procedurave të aplikimit. Kjo ndihmë u jepet OJQ-ve për realizimin dhe maksimizimin e potencialit të tyre dhe për të ndjekur synimet e tyre për zhvillimin e shoqërisë. OJQ-të duhet të jenë në gjendje të integrojnë teknologjinë që e kanë në dispozicion jo vetëm për të rritur efikasitetin e tyre të brendshëm, por edhe për të qenë në gjendje të ofrojnë programe dhe shërbime në mënyrë më efikase me përfshirje më të madhe.

Pjesëmarrësit gjithashtu patën mundësinë të njoftohen nga gazetari dhe eksperti Gjergj Filipaj në lidhje me përdorimin e teknologjisë së informacionit për të mirën e përbashkët, në veçanti për përdorimin e rrjeteve sociale për qëllimet e tyre.

Si veprimtari që del nga ky takim, OJQ-ja Lens do të formojë një grup joformal të organizatave pjesëmarrëse dhe të interesuara dhe do të ndihmojë OJQ-të nga Kosova që të shfrytëzojnë në mënyrën më të mirë mbështetjen e ofruar nga Microsoft.