Me datë 03 Maj, 2017 u mbajt takimi jonë i radhës për të diskutuar për projektligjin për ndërmarrjet sociale (05-L-148-Republika e Kosovës). Projektligji për ndërmarrjet sociale i propozuar nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale ka kaluar në leximin e parë në Kuvendin e Kosovës dhe për momentin është duke u diskutuar në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale. Në Kosovë ka ndërmarrje dhe organizata të tjera të cilat funksionojnë brenda kësaj forme të organizimit. Prandaj projektligji përveç që është mirëpritur, gjithashtu ka hapur një debat të gjerë për shqetësimet e organizatave të ndryshme ndaj mënyrës së trajtimit të ndërmarrjeve sociale në këtë projektligj.
Takimi mblodhi përfaqësues nga organizata jo-qeveritare, përfaqësues nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, përfaqësues nga Komisioni Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale si dhe përfaqësues nga disa ndërmarrje në Kosovë të cilat operojnë në kornizat e një ndërmarrje sociale. Andaj qëllimi kryesor i këtij takimi ishte që të mblidhen palët të cilat kanë interes të drejtpërdrejtë nga ligji për ndërmarrjet sociale me qëllim të propozimit të praktikave më të mira legjislative për ndërmarrjet sociale.
Më poshtë gjeni pikat kryesore që u ngritën për diskutim në këtë takim, të shprehura në formë shqetësimesh me kufizimet e projektligjit:
- Kufizimi i aktiviteteve në të cilat mund të operojë një ndërmarrje sociale (edhe pse qeveria është munduar që këto kufizime ti bëj me arsye që të mbrohen nga keqpërdorimet e mundshme të bizneseve, një kufizim i tillë do ta tjetërsonte parimin kryesor të një ndërmarrje sociale);
- Përkufizimi për fushëveprimin e ndërmarrjeve sociale duhet të bazohet në ndërmarrjet sociale ekzistuese të cilat operojnë në Kosovë;
- Duket që projektligji më shumë i favorizon organizatat jo-qeveritare sesa ndërmarrjet sociale. Ndërmarrjet sociale duhet parë më shumë si biznese të cilat në misionin e tyre përmirësojnë një problem në shoqëri;
- Kushti i përfshirjes së grupeve të cenueshme në ndërmarrje sociale, (një ndërmarrje sociale mund të funksionoj edhe duke ndihmuar grupet e cenueshme pa i punësuar direkt në ndërmarrje);
- Konfuzioni shumë i lartë rreth asaj se çfarë konsiderohen grupet e cenueshme;
- Është ngritur gjithashtu shqetësimi për mundësinë e implikimeve të ligjit për ndërmarrjet sociale me ligjin për skemën e pensioneve;
- Pamundësia e organizatave apo asociacioneve për të qenë pronare të ndërmarrjeve sociale.
- Gjithashtu është shprehur shqetësimi që ndërmarrja sociale nuk mund të transferojë të hyrat nga shitja tek organizata pronare. Për arsye që konsiderohen si dy entitete të ndryshme. Edhe pse ndërmarrja sociale operon me qëllim që organizata mëmë të përmbushë misionin e saj;
- Gjithashtu është diskutuar për procedurat burokratike të regjistrimit të ndërmarrjeve sociale;
- Kufizimet që bizneset të konvertohen në ndërmarrje sociale dhe polemikën e konvertimit të organizatave jo-qeveritare në ndërmarrje sociale;
- Plotësimi i kushtit të përfshirjes të grupeve të cenueshme në 30%, (shumë nga ndërmarrjet sociale fillojnë me grupe të vogla të punëtorëve dhe përmbushja e këtij kushti është e vështirë në fillimet e saj);
- Procedura të tepruara për kontrollimin e fushëveprimit të ndërmarrjeve sociale, këto kontrollime mund të kryhen me procedura normale nga Administrata Tatimore e Kosovës pa pasur nevojën e krijimit të një administrate të re;
Ky raport do të dërgohet tek të gjitha palët e pranishme në takim dhe tek të gjithë përfaqësuesit tjerë të palëve të interesit. Qëllimi i këtij raporti është që të informohen të gjitha palët e interesit rreth diskutimeve në takimin tonë të fundit dhe shqetësimeve të ngritura në raport më draft ligjin për ndërmarrje sociale. Gjithashtu në takim përfaqësuesit janë pajtuar që të bashkëpunojnë rreth përmirësimit të draft ligjit për ndërmarrjet sociale dhe LENS do të përfaqësojë këto kërkesa në takimin e ardhshëm të komisionit parlamentar.