Konferenca e dytë ndërkombëtare për Inovacion Social

Inovatorët dhe ndërmarrësit social kanë nevojë për bashkëpunëtorë të duhur për të zhvilluar iniciativat e tyre në drejtim të duhur.

 

Prandaj, më 30 Nëntor 2017, në qendrën Orion në Prishtinë, mbahet konferenca ndërkombëtare për inovacion social.

 

Ky organizim i cili mbahet për herë të dytë në Kosovë, ka për qëllim që të ofrojë një mundësi për shkëmbim të përvojave në mes të atyre që kanë krijuar inovacion për shoqërinë, ndërmarrje sociale, hapësirë bashkëpunuese apo kanë krijuar shërbime të ndryshme të cilat kanë ndikuar në rritje të punësimit tek të rinjtë.

 

Konferenca me titull “Adaptimi i inovacionit social” do të mbahet në kuadër të projektit rajonal YOUSEE – platformë rajonale për inovacion social në politika të punësimit që garanton siguri për të rinjtë në rrezik të përjashtimit nga tregu i punës. Konferenca mbështetet nga Komisioni Evropian dhe projekti i Helvetas Swiss Intercooperation – Enhancing Youth Employment (EYE), si dhe Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office.

 

Para jush do të ndajnë përvojat e tyre inspiruese ekspertët tanë të zgjedhur nga fusha e inovacionit dhe ndërmarrësisë sociale:

 

Stuart Thomanson është lider i programit në “Social Venture Support”. Ai gjithashtu udhëheq programin përshpejtues (Accelerator) dhe inkubatorin Evropian “EU Transition”. Biznesin e parë social e filloi kur ishte vetëm 22 vjeçar dhe momentalisht është drejtor edhe në 2 biznese të tjera, “Studio Polpo” dhe “Inside Innovation”.

 

Stuart ishe pjesë e UnLtd (fondacionit për ndërmarrje sociale) ku qëndroi 4 vite duke trajnuar qindra individë të cilët kishin themeluar ndonjë program inovativ, të ndërmarrësisë sociale apo filantropi. Gjatë kësaj kohe ai ndihmoi gjithashtu në mbledhjen e afro 6 milion funteve për zhvillimin e programit të UnLtd.

 

Indira Kartallozi është themeluese e ndërmarrjes sociale “Migrant Entrepreneurs International” dhe drejtoreshë në “Kaleindoscope Futures” në Mbretërinë e Bashkuar. Përmes programeve të këtyre ndërmarrjeve ajo është e fokusuar që të krijoj një të ardhme më të ndritur e cila është më e sigurt, më e mençur, e përbashkët, e qëndrueshme dhe e kënaqshme.

 

Me afro 15 vite përvojë kryesisht me grupe të margjinalizuara, ekspertiza e saj prekë fushat nga migrimi i dhunshëm, barazia gjinore, e deri tek ndërmarrësia sociale, transformimi i lidershipit si dhe ambienti dhe qëndrueshmëria.

 

Konferenca do të prezantoj hulumtimin mbi ndërmarrjet sociale në Kosovë “Ngritja e liderëve të së ardhmes – Ndërmarrjet sociale në Kosovë” nga LENS dhe EYE, në bashkëpunim me eksperten Indira Kartallozi. Ky hulumtim ka për qëllim të ofroj një model më të përshtatshëm dhe të zbatueshëm për ndërmarrjet sociale në Kosovë, bazuar në praktikat botërore dhe trendin nacional të ndërmarrjeve sociale.

 

Andaj, LENS mirëpret të gjithë të interesuarit që të marrin pjesë në konferencë dhe të mësojnë më shumë rreth inovacionit social, apo të gjejnë bashkëpunëtorët e duhur që do të ju ndihmojnë të zhvillojnë idetë e tyre inovative në të ardhmen.