Shoqëria Civile e Ballkanit Perëndimor pjesë e një dialogu tëpërbashkët me vendimmarrësit nga rajoni dhe BE.
Forumi i Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor u zhvillua në kuadër të samitit të Vjenës për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, i cili mblodhi së bashku përfaqësuesit më të lartë të BE-së dhe rajonit. Forumi ishte një mundësi unike për përfaqësuesit e shoqërisë civile nga vendet e Evropës Juglindore për të shprehur mendimin e tyre mbi sfidat e tanishme sociale dhe ekonomike dhe situatën në fushën e shoqërisë civile dhe për të formuluar kërkesa specifike drejtuar përfaqësuesve të lartë të shteteve anëtare të BE-së dhe qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile, duke përfshirë Lens, kanë punuar në formulimin e rekomandimeve që iu prezantuan udhëheqësve në Forum. Rekomandimet adresojnë tre çështje kryesore për të gjitha vendet: Bashkëpunimi Rajonal, Liria e Medias dhe Krijimi i suksesshëm i vendeve të punës. Përmbajtja e plotë e këtyre rekomandimeve mund të gjendet këtu.
Forumi organizohet nga Fondacioni “Erste”, Fondacioni “Friedrich Ebert” Instituti Renner, i mbështetur nga Ministria Federale e Austrisë për Punë të Jashtme dhe Integrim Evropian. Përveç përfaqësuesve të OJQ-ve nga Ballkani Perëndimor, pjesëmarrës në Forum ishin kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë, Komisionari Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, si dhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë nga rajoni i Ballkanit.
Pjesëmarrja jonë në këtë ngjarje u mbështet nga Fondacioni Friedrich Ebert, si pjesë e grupit punues për Rekomandimet e Shoqërisë Civile në Samitin e Vjenës.