LENS takohet nëpër komuna me konsumatorë të shërbimeve të komunikimeve elektronike

LENS ka filluar fushatë informuese nëpër komunat e Kosovës duke u takuar me qytetarë dhe ka folur për së afërmi me të pranishmit rreth nivelit të kënaqësisë dhe/ose cilësisë së shërbimeve të komunikimeve elektronike, për mbrojtjen e të dhënave personale si dhe për drejtat e konsumatorit.

Përmes aktivitetit “Ti paguan, ti kërkon – Përdori të drejtat”, këtë muaj, në Prizren, Pejë dhe Ferizaj, në qendër të këtyre qyteteve janë vendosur pika informuese ku ekipi i organizatës ka njoftuar të interesuarit për punën e rregullatorëve, gjegjësisht punën e Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP) si dhe Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (ASHMDP). Po ashtu, qytetarëve u janë prezantuar mundësitë se si mund t’i ushtrojnë të drejtat e tyre si konsumatorë duke shfrytëzuar mjetet e internetit për raportim online të ankesave.

Gjatë këtyre takimeve është folur në lidhje me natyrën e ankesave që kishin pjesëmarrësit e aktivitetit rreth shërbimeve të pranuara të komunikimeve elektronike në Kosovë. Qytetarët patën rastin të mësojnë mbi rëndësinë e vetëdijesimit të konsumatorëve dhe mbi rolin e tyre në sigurim të cilësisë së shërbimeve. Janë informuar për rendësin e trupave të pavarur rregullues të tregut (në sferat e shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe privatësisë), se çka duhet ditur si konsumator kur pranojnë shërbime sipas rregullave të përcaktuara ligjore, rëndësinë e angazhimit në diskutime tematike për rritjen e cilësisë së shërbimeve, hapat që mund të ndërmarrin në rast të pakënaqësive dhe për mbrojtjen e të dhënave personale.

Pos tjerash, qytetarët janë njoftuar edhe për punën dhe angazhimin që po bënë LENS në këtë fushë, rreth projektit “Rregullatori Yt” dhe në veçanti për modulin e raportimeve online të ankesave, e cila do të jetë e qasshme për publikun e gjerë nga qershori i këtij viti. Ekipi i organizatës i përbërë nga vullnetarë dhe stafi u ka shpjeguar konsumatorëve se si funksionon ky modul, çka mund të adresojnë përmes tij dhe janë asistuar individë aty për aty kur kanë dashur të raportojnë ankesa në formë elektronike. Kjo mundësi do të ofrohet në ueb faqen www.rregulatori.com

Pjesëmarrësit e kanë mirëpritur përpjekjen si dhe formën inter-aktive të ndarjes së informacionit me ta, të cilën e pranuan individualisht dhe ishin të lumtur të mësojnë se është duke u realizuar një projekt në Kosovë i cili do të ndihmojë dhe informojë konsumatorët rreth mbrojtjes dhe ushtrimit të të drejtave. Formati i njëjtë por edhe aktivitete të ngjashme në ditët dhe javët në vijim do të mbahen edhe nëpër komuna të tjera të Kosovës.

Ky aktivitet është pjesë e projektit “Rregullatori Yt” dhe realizohet nga NGO LENS. Projekti ka për qëllim të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e punës së ARKEP dhe ASHMDP, dy autoriteteve kryesore që kanë ndikim në kualitetin dhe sigurinë e komunikimeve elektronike të Kosovës, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve në formën e lejimit të qarkullimit të lirë të informatave, kualitetit të tyre, si dhe mbrojtjen e qytetarëve nga shkelja e privatësisë.

 

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).