Ky raport, bashkë me aktivitetet që e kanë shoqëruar, është prodhuar nga Lens në kuadër të projektit: “Platforma rajonale e shoqërisë civile për avokim të inovacionit social brenda politikave të punësimit të të rinjve”. Projekti po implementohet nga një konsorcium i gjashtë organizatave të Ballkanit.
Teoricienët social kanë thënë që moti se njerëzit që janë më të lidhur ia dalin më mirë në jetë, por për individët rrethi social kufizohet nga shumë faktorë, vendbanimi, përkatësia etnike dhe nga të ardhurat e ulëta. Këto të gjitha paraqesin pengesa për zhvillimin social dhe mund të çojnë deri tek margjinalizimi.
Gjatë dekadave të fundit, ne kemi qenë dëshmitarë të zhvillimit teknologjik i cili ka ndryshuar jetët tona, përcjellur nga mediat online dhe rrjetet sociale, të cilat gjithashtu në mënyrë drastike kanë ndryshuar mënyrën se si ne lidhemi, komunikojmë dhe si gjejmë informacione.
Ndikimi shumëdimensional që rrjetet sociale kanë pasur mbi jetën tonë ka krijuar shprehi të reja dhe ka futur mënyra të reja për të përfshirë TIK si mjet në aktivitetet tona. Falë reaktivitetit shtrirjes së gjerë të tyre, njerëzit janë duke i përdorur rrjetet sociale si një mjet të shpejtë dhe efektiv për të përmbushur nevojat individuale për komunikim, biznes dhe socializim; shpërndarja e lajmeve për fatkeqësitë natyrore, angazhimi i komunitetit dhe nxitja e debateve janë vetëm disa shembuj të potencialit dhe të përdorshmërisë së rrjeteve sociale.
Zhvillimi i rrjeteve sociale në internet gjithashtu është treguar i dobishëm dhe ka ndihmuar individët të vihen në kontakt me rekrutuesit, të mbledhin informacione në lidhje me kompanitë për të cilat duan të punojnë, dhe në përgjithësi të ndërtojnë një rrjet të kontakteve para se të kenë mundësi të fitojnë përvojë pune.
Duke parë rëndësinë e pranisë së tyre në internet për biznesin e tyre, kompanitë kanë qenë më të shpejta dhe kanë arritur të përfitojnë nga përdorimi i rrjeteve sociale, në të njëjtën kohë këto rrjete kanë krijuar vende pune që pak kohë më parë nuk ekzistonin. Gjithnjë e më shumë kompanitë kanë lidhur strategjinë e tyre për prani dhe përdorim të rrjeteve sociale me gjetjen e talenteve të reja dhe rekrutim të individëve. Kemi qenë dëshmitarë të një rritje në përdorimin e rrjeteve sociale në përgjithësi në tërë rajonin, punëdhënësit kanë filluar të shfrytëzojnë audiencën që ata kanë ndërtuar në rrjetet sociale për të reklamuar jo vetëm shërbimet dhe profilin, por edhe vendet e lira të punës.
Ka një ndërlidhje midis rrjeteve sociale dhe ndërtimit të kapitalit social (V. Benson et al., 2014), meqenëse ato ofrojnë mjete të thjeshta të menaxhimit të njohurive që ndihmojnë ndërtimin e kapitalit social, dhe krijojnë një prani online e cila është çdoherë e më e rëndësishme; por si mundet një i ri t’i përdorë rrjetet sociale për të mirën e tij profesionale, çka duhet të ketë parasysh në mënyrë që sigurojë një paraqitje të mirë dhe të kontrollojë gjurmët e tij digjitale në funksion të rritjes së mundësive për punësim? A mund t’i përdorin të rinjtë internetin dhe rrjetet sociale në mënyrë më efikase për të gjetur punë?
Kjo kronikë e trajton vënien në këtë funksion të shërbimeve të internetit, fokusohet në ndikimin e mediave online në punësimin e të rinjve, jep kontekstin e përdorimit të internetit në Ballkanin perëndimor dhe Turqi, popullaritetin e rrjeteve sociale dhe më tej shpjegon çështjet për vëmendje, dhe jep pasqyrë në lidhje me potencialin e përdorimit të rrjeteve sociale si një mjet për përmirësimin e punësimit të të rinjve dhe për të rritur pjesëmarrjen e të rinjve në tregun e punës.
Tekstin e plotë mund ta lexoni këtu.