Dje, në kuadër të projektit GrassRoots Action Support-GRAS të financuar nga Komisioni Evropian dhe të implementuar nga IKS, LENS dhe FES, u mbajt një tryezë që kishte për qëllim prezentimin e raportit të hulumtimit “Hartëzimi i organizatave lokale dhe me bazë në komunitet” dhe diskutimin e këtyre gjetjeve midis akterëve relevant.
Raporti kishte për qëllim ofrimin e një pasqyre të përgjithshme të funksionimit të organizatave me bazë në komunitet në Kosovë, identifikimin e nevojave të tyre sa i përket zhvillimit të kapaciteteve organizative, sigurimit të mbështetjes financiare dhe krijimit të lidhjeve me komunitetin si dhe ofrimin e një analize të përpjekjeve të këtyre organizatave për avokim dhe lobim. Gjetjet e këtij raporti do të përdoren për të dizajnuar dhe përshtatur më tej mbështetjen financiare dhe asistencën teknike që do të ofrohet nga projekti GRAS.
Në këtë tryezë ishin të pranishëm një numër i përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, përfaqësues të institucioneve publike dhe media.