Mos u mashtroni këtë 1 prill, kontrollojeni antivirusin dhe siguroni të dhënat në kompjuterin tuaj!

Ky artikull nuk është një gënjeshtër e një prillit, por pikërisht ndjesia që kemi kur jemi cak i shakave dhe mashtrimeve të kësaj dite, na përkujton pak atë çka provojmë nga humbja e dokumenteve të rëndësishme, për shkak se kemi qenë të pakujdesshëm.

 

Prandaj, në një ditë si kjo kur të gjithë jemi të prirur të mashtrohemi nga shakatë e miqve tanë, Lens dëshiron ta shfrytëzojë rastin të ju përkujtojë të keni vëmendje tek siguria e të dhënave tuaja, humbja e tyre përveç shijes së hidhur mund të ju shkaktojnë edhe telashe shumë të mëdha në punën tuaj.

Kopjoni dokumentet e rëndësishme në një disk të jashtëm

Këshilla jonë e parë këtë një prill është që të siguroheni se të gjitha dokumentet e punës dhe jetës tuaj i keni ruajtur, përveç në pajisjen ku punoni, edhe në një disk të jashtëm rezervë. Mund të ju duket shpenzim i panevojshëm të investoni edhe në një disk tjetër kur ai që keni po punon mirë, por jeni duke u treguar naiv nese po i besoni pajisjeve teknologjike kaq shume. Mënyrat, shkaqet dhe rastet e prishjes së pajisjeve elektronike janë vertetë të panumërta, sigurisht ka raste kur të dhënat tuaja mund të rikthehen përmes softuareve të ndryshme, por dokumentet dhe të dhënat e rëndësishme nuk do të duhet t’ia leni në dorë atyre sepse nëse pajisjet janë pak të besueshme, këto softuare janë vetëm një përpjekje për trajtim e lindur nga dëshpërimi i njerëzve kur humbasin të dhëna të rëndësishme. Mjafton të imagjinoni një situateë kur ju duhet të filloni të punoni nga fillimi, sepse pajisja juaj ka dështuar. Ruajtja e të dhënave nuk është magji, as teknikët e informatikës nuk janë magjistarë që mund ti kthejnë ato mbrapsht. Duhet ta keni parasyshë që mund ti humbisni të dhënat me të njejtën lehtësi me të cilën i fshini dokumentet e panevojshme nga memoria e pajisjes, prandaj në vend se të vendos pajisja për jetëgjatësinë e të dhënave tuaja, bëjeni ju vet duke i kopjuar dhe ruajtur në një disk të jashtëm.

Përditësojeni antivirusin tuaj

Viruset e pajisjeve teknologjike në botën e TIK-ut mund të ju themi që merren shumë më seriozisht se viruset sezonale, dhe me të drejtë. Viruset janë pjesë programesh softuerike të shkruara me qëllim që të komprometojnë të dhënat tuaja në ndonjë formë.
Të gjitha pajisjet që kyçen në rrjet ose kanë kontakte me pajisje tjera (usb, disqe, etj) duhet të jenë të mbrojtura me antiviruse dhe firewalls (pengesa) të përditësuara. Në treg ka një mori antivirusesh të dizajnuara për të ju mbrojtur nga këto sulme, zgjidhni njërin që ju përshtatet më së shumti dhe rregullojani parametrat për të siguruat mbrojtjen optimale për ju. Kushtoni pak vëmendje paralajmërimeve për përditësim të antivirusit, për shkak se këto të fundit janë shpeshherë një hap më përpara në identifikimin e vrimave dhe defekteve në mbrojtje nga sulmet.

Lens këto ditë ka filluar të përdorë një antivirus të ri të quajtur Bitdefender, në dukje është i përshtatshëm dhe licenca nuk kushton shumë shtrenjtë për një vit. Dy arsyet kryesore pse e kemi zgjedhur pikërisht këtë, e para ështe se nuk e rëndon as RAM as procesorin, dhe bazuar në përvojën e përdoruesve tjerë, është mirë I përditësuar dhe siguron mbrojtje më të gjerë se sa antivirueset tjera. Do t’ju themi më vonë për përvojën tonë të përdorimit, ndërkohe, juve ju mbetet të kontrolloni antivirusin tuaj, nëse nuk e keni të instaloni një sa më parë. Shumica e antiviruseve ju ofrojnë mbrojtje elementare edhe pa pagesë për një pajisje, ndërsa disa e kan edhe një periudhë testuese të cilën mund ta shfrytëzoni për të testuar se çka ju përshtatet më shumë.

Paraprini një situate të pashpresë dhe të dëshpëruar ku ju duhet të mundoheni për të kompensuar humbjen e të dhënave tuaja. Këtë një prill, mos u mashtroni, të pakten jo nga pajisjet!